Secondary Adv

Rishikohet buxheti 2025: Më shumë fonde për sigurinë kibernetike, IT dhe infrastrukturën

Rishpërndarje të fondeve për sigurinë kibernetike, teknologjinë e informacionit, garancinë sovrane në bujqësi dhe infrastrukturën.

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet në buxhetin e vitit 2025 që u diskutuan në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

 

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Financave Petrit Malaj listoi edhe një herë ndryshimet në buxhetin e këtij viti, të cilat u miratuan para një jave me një akt normativ nga Këshilli i Ministrave.

 

“Kemi një reflektim dhe një rishpërndarje të brendshme të fondeve për projekte që lidhen me IT-në. Nga kursimet, 3.3 mld lekë shkojnë për Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, disa miliardë lekë për projekte të zhvillimit të infrastrukturës, për një projekt të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, fonde shtesë te Ministria e Shëndetësisë për blerje pajisjesh mjekësore.

 

Ndërkohë, 3 mld lekë janë për garancinë sovrane në sektorin e bujqësisë. Përmes kësaj synohet lehtësimi i aksesit në financë për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ministria e Bujqësisë ka propozuar një skemë për të zgjidhur problemin  e mungesës së kolateralit.

 

Garancia sovrane do të mbulohet nga bankat tregtare. Reflektimi i ndryshimeve do të mundësojë ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor. Nëpërmjet këtij akti synohet që të rialokohen 11.8 miliardë lekë për forcimin e kapaciteteve shtetërore për sigurinë kibernetike dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit”.

 

Ministri i Financave theksoi se ky akt normativ ka të bëjë vetëm me kursimet nga projekte të caktuara, të cilat janë rialokuar për projekte të tjera.

 

I pyetur edhe për një rritje të mundshme të pagave të Policisë së Shtetit, Malaj u shpreh se nuk janë dhënë fonde shtesë për nevojat që mund të kenë pasur Ministritë. Nuk është parashikuar asnjë rritje page deri më tani. /Scan


Më të lexuarat